Sipas mediave italiane , Lorik Cana është drejt largimit nga Lazio dhe për të në fakt nuk mungojnë ofertat në klubin kryeqytetas. Në ditët ...
Sipas mediave italiane, Lorik Cana është drejt largimit nga Lazio dhe për të në fakt nuk mungojnë ofertat në klubin kryeqytetas. Në ditët e shkuara është folur për interesimin e Schalke 04, por siç bën të ditur në versionin e saj të printuar “Il Messagero”, lajm që e përcjell më pas edhe “TuttoMercatoweb” veç “bluve mbretërorë” në ndjekje të Lorikut është dhe një klub tjetër i Bundesligës, pikërisht Bayer Leverkusen klub që do të luajë këtë vit ChampionsLeague duke e nisur nga ndeshjet e play-off pasi e përfundoi kampionatin në vendin e 4-ët të klasifikimit.
Në të shkuarën Cana ka pranuar publikisht pëlqimin e tij për Bundesligën si një preferencë e lindur për shkak të futbollit që aplikohet aty, mënyrës se si e përjetojnë tifozët futbollin, por padyshim dhe ambicies për të vijuar një tur prestigji në kampionatet më të fortë të Europës pas eksperiencave në Ligue 1 në Francë, Premier League angleze, Superligën turke dhe së fundmi dhe Serinë A. Gjithsesi për sa i përket të ardhmes së Canës, tashmë 31-vjeçar nuk përjashtohet edhe një pistë më ekzotike, pasi mediat italiane konfirmojnë interesimin e fortë në drejtim të tij edhe nga disa klube të MLS, Ligës Amerikane të Futbollit, aty ku po investohet gjithmonë e më shumë për të rritur popullaritetin e kësaj loje dhe ku aktivizohen tashmë disa nga yjet më të famshëm të futbollit europian. Gjithsesi në transferimin e Canës një rol të rëndësishëm ka dhe Lazio, pasi Loriku ka një kontratë që skadon vitin e ardhshëm dhe presidenti Lotito kërkon të përfitojë një shumë financiare që sipas mediave italiane është të paktën 1 milionë Euro nga transferimi i tij.